Qeveria britanike planifikon të rishikojë sistemin e apelimit për azilkërkuesit, synon t’i japë fund përdorimit të hoteleve

- Bota Sot

Qeveria britanike planifikon të rishikojë sistemin e apelimit për azilkërkuesit, synon t’i japë fund përdorimit të hoteleve

Qeveria britanike ka njoftuar planet për një reformë të thellë të sistemit të apelimeve për azilkërkuesit, me qëllim uljen e numrit të emigrantëve që strehohen në hotele në pritje të një vendimi.

Sipas Sekretares se Brendshme, Yvette Cooper, do të krijohet një organ i ri i pavarur, i përbërë nga gjyqtarë të pavarur, i cili do të shqyrtojë rastet më shpejt dhe do të ndihmojë në reduktimin e vonesave.

“Po ndërmarrim hapa praktikë për t’i dhënë fund vonesave të papranueshme”, deklaroi Cooper.

Aktualisht, rreth 32 mijë azilkërkues janë ende të akomoduar në hotele, duke i kushtuar shtetit shuma të mëdha. Megjithëse procesi i marrjes së vendimeve fillestare për aplikimet është përshpejtuar, vonesat ndodhin në rastet kur aplikimet refuzohen dhe personat bëjnë apel. Mesatarisht, një apel kërkon mbi një vit për t’u shqyrtuar, ndërsa në pritje janë rreth 51 mijë raste.

Në këtë kohë, azilkërkuesit e refuzuar vazhdojnë të strehohen me shpenzimet e taksapaguesve. Për këtë arsye, qeveria synon që një trupë e re gjyqtarësh të pavarur të trajtojë apelimet më shpejt se gjykatat aktuale. Detaje të tjera mbi këtë reformë pritet të jepen në vjeshtë.

Ndërkohë, opozita ka kritikuar ashpër qeverinë. Konservatorët e kanë quajtur sistemin “kaotik”, ndërsa partia ‘Reforma në Mbretërinë e Bashkuar’ ka bërë thirrje për deportim masiv të atyre që hyjnë në vend me rrugë të paligjshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot