Gyokeres zbulon se kujt ia drejtoi festimin që bëri pas dy golave të shënuar ndaj Leeds United

- Bota Sot

Gyokeres zbulon se kujt ia drejtoi festimin që bëri pas dy golave të shënuar ndaj Leeds United

Viktor Gyokeres ka shpjeguar kuptimin e festimit të tij të ri, pasi tifozët e Arsenalit vunë re gjestin e tij pas realizimit të penalltisë. 

Sulmuesi suedez e hapi llogarinë e golave me Arsenalin në fitoren bindëse 5-0 ndaj Leeds United, të shtunën.  

Ai realizoi golin e tij të parë në Ligën Premier vetëm tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, duke përfunduar me qetësi një aksion individual pas një depërtimi në zonë. 

Pas golit, Gyokeres festoi me gjestin e tij karakteristik, duke kryqëzuar gishtat për të formuar një “maskë” mbi gojë, një festim që e ka përdorur edhe më parë. 

Kur shënoi penalltinë në minutat shtesë, të fituar nga Max Dowman, ai përsëriti festimin me “maskë”, por këtë herë shtoi një element të ri që nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët e Arsenalit, kaloi gishtat në flokë, duke bërë sikur po rregullonte modelin e flokëve. 

Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, Gyokeres konfirmoi se kjo pjesë e re e festimit ishte një referencë ndaj kritikave në rrjete sociale, pasi tifozët kundërshtarë kishin tallur statistikat e tij pas debutimit kundër Manchester United fundjavën e kaluar. 

Ai ironizoi kritikët e tij, të cilët bënë shaka duke thënë se kishte më shumë rregullime të flokëve sesa prekjet e topit në “Old Trafford”. 

Kur gazetari Dave Jones e pyeti nëse festimi i tij ishte përgjigje ndaj atyre që e tallën pas ndeshjes debutuese, Gyokeres qeshi lehtë dhe u përgjigj: “Po… mund të jetë”. 

Ky reagim i tij është interpretuar si një mënyrë inteligjente për të kthyer presionin dhe ironinë në favor të tij, duke fituar edhe më shumë simpati nga tifozët e Arsenalit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot