Andre Onana është rikthyer në skuadrën e Manchester United dhe mund të jetë në vijë për të startuar për herë të parë këtë sezon, teksa “Djajtë e Kuq” vizitojnë Fulhamin këtë të diel.
Sipas asaj që raporton Manchester Evening News, Onana është përfshirë në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Craven Cottage dhe është “në vijë” për të zëvendësuar Altay Bayindir, pasi portieri turk u kritikua ashpër për rolin e tij në golin e fitores së Arsenalit në “Old Trafford” fundjavën e parë të kampionatit.
Të dy portierët janë përfshirë në skuadrën prej 21 lojtarësh, megjithatë trajneri Ruben Amorim ka qenë enigmatik në deklaratat e tij mbi atë se kush do të jetë titullar në portë.
Onana është kritikuar shpesh gjatë qëndrimit të tij te United, ndërsa një dëmtim i pësuar këtë verë gjatë përgatitjeve parasezonale e shtyu klubin të shqyrtojë mundësinë e transferimit të një portieri tjetër.
Megjithatë, deri më tani nuk është realizuar asnjë transferim i ri në atë pozicion, dhe ish-portieri i Interit dhe Ajaxit mund të ketë një tjetër mundësi për të rikthyer vendin e titullarit në ekipin e Amorim, pasi nuk ishte i gatshëm fizikisht për të startuar në ndeshjen hapëse.
Ndërkohë, bisedimet me portierin e ri belg Senne Lammens nga Royal Antëerp janë intensifikuar ditët e fundit dhe mund të konkretizohen për një marrëveshje me vlerë rreth 17 milionë euro.
Nëse ky transferim realizohet, atëherë Bayindir mund të mbetet jashtë planeve, ndërsa Onana nuk pritet të largohet nga “Old Trafford” gjatë kësaj vere.