Sacchi: Allegri ka nevojë për kohë

- Bota Sot

Sacchi: Allegri ka nevojë për kohë

Ish-trajneri legjendar dhe sot opinionist për La Gazzetta dello Sport, Arrigo Sacchi, ka komentuar debutimin e skuadrave të mëdha në javën e parë të Serie A.

Për humbjen e Milanit ndaj Cremoneses

“Do të ishte e lehtë t’i kritikosh ashpër kuqezinjtë, por nuk do të ishte e drejtë.

Allegri ka nevojë për kohë për të montuar skuadrën dhe për t’i dhënë asaj një lojë të qartë. Shoqëria duhet ta mbështesë trajnerin dhe lojtarët në këtë moment. Humbja në debutim dhemb, e di që tifozët janë të zhgënjyer, por karakteri forcohet në vështirësi.

Kush mendonte se Milanit do t’i mjaftonin disa blerje për të ndryshuar fytyrën pas sezonit katastrofik, ishte gabim. Nuk është çështje e një lojtari apo e një roli të vetëm, por e një identiteti të përbashkët në lojë”.

Për Napolin e Contes

“Ajo që më impresionoi më shumë ishte qëndrimi i lojtarëve: gjithmonë të gatshëm të luftojnë për çdo top dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë që mesazhi i Contes për përulësi dhe përkushtim ka mbërritur te të gjithë.

Nëse McTominay vazhdon të dhurojë futboll të bukur si sezonin e kaluar dhe nëse De Bruyne mbetet ai fenomen që kemi parë te City, atëherë Conte mund të ndihet i qetë. Edhe pse e njoh mirë dhe e di që nuk është tipi që relaksohet: me siguri po mendon për ndeshjen e radhës dhe po analizon gabimet e bëra ndaj Sassuolos.

Një gjë është e sigurt, kush synon titullin duhet të llogarisë Napolin, sepse kanë treguar se janë ende të uritur.”

Për Romën e Gasperinit

“Doja shumë të shihja se si do të paraqitej Roma e Gasperinit dhe më duket se starti ka qenë shumë premtues. Shpejtësi, agresivitet, një version ndoshta jo i plotë i asaj që për vite kemi parë te Atalanta, por me një intensitet të lartë.

Bologna, edhe pse e organizuar mirë nga Italiano, në fund u dorëzua përballë fuqisë së verdhekuqve. Mendoj se Roma mund të jetë surpriza e këtij sezoni,” ka theksuar Sacchi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot