Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Sarandë-Delvinë, pranë vendit të quajtur “Pularia”, ku kanë humbur jetën dy motra dhe është plagosur rëndë një vajzë tjetër.
Viktimat janë identifikuar si Elvisa Dhimaku, 22 vjeçe (drejtuese e mjetit) dhe Rozina Dhimaku, 20 vjeçe, të dyja nga fshati Kopaçezë i Delvinës. E plagosur rëndë ka mbetur Antonela Zhupa, 24 vjeçe, e cila është dërguar me urgjencë në spitalin e Sarandës.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin të rejat është përplasur kokë më kokë me një Audi që drejtohej nga 23-vjeçari, K.N.
Në vendngjarje kanë mbërritur policia, ambulanca dhe zjarrfikëset, ndërsa po hetohen rrethanat e ngjarjes.
Ky është aksidenti i katërt i shënuar vetëm sot në vend, me bilanc të rëndë: 3 viktima dhe 4 të plagosur.
Delvinë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, shtetasi K. N., 23 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën drejtuesja e automjetit “Lancia”, shtetasja E. Dh., 22 vjeçe, së bashku me pasagjeren shtetasen R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa pasagjerja tjetër në këtë automjet, shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, ka mbetur e dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.