Një lojtar i Barcelonës rrezikon të mos ketë të drejtë loje deri në janar, nëse ndodh një skenar i keq në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.
Pavarësisht se Barça vazhdon të prodhojë spektakël në fushë, problemet jashtë saj, veçanërisht ato financiare, vazhdojnë të trazojnë klubin.
Në gusht 2024, Barcelona nënshkroi me mesfushorin e përfaqësueses së Spanjës, Dani Olmo, nga RB Leipzig, por fillimisht nuk ishte në gjendje ta regjistronte për shkak të kufizimeve të vendosura nga La Liga për pagat.
Dy apelime të klubit për regjistrimin e përkohshëm të Olmos u refuzuan nga gjykata, por më pas ai u lejua të luante si një “përjashtim special” deri në janar 2025, kur më në fund u regjistrua zyrtarisht në La Liga.
Këtë verë, Marcus Rashford gjithashtu nuk u regjistrua menjëherë për sezonin 2025/2026, por klubi bëri disa marrëveshje për të liruar hapësirë në pagë, duke mundësuar aktivizimin e tij në ndeshjen kundër Mallorcas.
Megjithatë, sipas Mundo Deportivo, rregulli 1:1 i La Ligas, që ndërlidhet me raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve për pagat, mund ta rrezikojë sërish regjistrimin e Olmos.
Gjithçka varet nga një vendim i Gjykatës Kombëtare, i cili pritet më 1 shtator, ditën e fundit të afatit kalimtar.
Nëse vendimi i gjykatës shkon në favor të Barcelonës, regjistrimi i Olmos mbetet i vlefshëm dhe nuk ka asnjë problem.
Por nëse gjykata mbështet La Ligan, klubi do të detyrohet të çregjistrojë Dani Olmon, dhe të tentojë ta regjistrojë sërish para orës 19:00 më 1 shtator, përndryshe, ai nuk do të mund të luajë deri në janar.