Kukësi optimist pas fitores në start

- Bota Sot

Kukësi optimist pas fitores në start

Kukësi nisi sezonin e ri me një fitore të rëndësishme, duke mundur Apoloninë me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë të kampionatit. 

Tifozët e pranishëm në stadium nuk e fshehën entuziazmin e tyre, duke mbështetur skuadrën gjatë gjithë ndeshjes dhe duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe motivuese për lojtarët. Pas përfundimit të sfidës, trajneri Sedat Pajaziti u shpreh i lumtur dhe optimist për ecurinë e ekipit.

“Në përgjithësi ka pasur momente shumë të mira. Normalisht që presioni në pjesën e parë si shkak i ndeshjes së parë, luajmë përballë tifozëve.

Donim ta nisnim me fitore dhe ai ishte synimi ynë, edhe pse në futboll asnjëherë nuk i dihet, për më tepër në ndeshjen e parë.

Jam i lumtur për tifozët, normalisht që kemi gjëra për të përmirësuar, por në përgjithësi jam shumë i kënaqur. Besoj se do të jemi edhe më mirë në ndeshjet e radhës, sepse dihet që disa lojtarë kanë ardhur kohët e fundit. Në fund kanë rëndësi tri pikët dhe jam i kënaqur”, tha fillimisht trajneri i bluve, i ciki debutimin e bëri pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Apolonisë.

FRYMA NË GRUP – Në vijim, Pajaziti theksoi rëndësinë e frymës së grupit dhe përkushtimit të lojtarëve, duke vlerësuar përkushtimin dhe disiplinën e skuadrës: “Nëse them se fryma në grup është perfekte, mund të duket si ekzagjerim. Jam shumë i kënaqur me këta djem, vështirë të gjesh si ky grup, janë shumë punëtor dhe të dëgjueshëm”, shtoi trajneri. Fitorja e Kukësit nuk është thjesht një rezultat pozitiv, por edhe një tregues i qasjes së ekipit dhe mënyrës se si trajneri po ndërton bazat për sezonin e ri. Edhe pse disa lojtarë janë bashkuar kohët e fundit, ekipi duket i harmonizuar dhe i gatshëm për sfidat që vijnë.  Java e dytë e gjen Kukësin në transfertë, ku do të përballen me Burrelin në stadiumin “Liri Ballabani”.

Padyshim, ky takim është i rëndësishëm për të dy ekipet, ku verilindorët do të kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, ndërsa matjanët presin të “korrin” pikët e para për këtë sezon. Më pas vjen ndërprerja për shkak të angazhimeve të Kombëtares, periudhë e cila do t’i shërbejë Kukësit për riparuar problemet e dala në pah në dy javët e para të kampionatit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot