Trajneri spanjoll, Xabi Alonso i ka kërkuar presidentit Florentino Perez që të sjellë një mesfushor të ri, sidomos nëse konfirmohet largimi i Dani Ceballos drejt Olympique Marseille.
Klubi mbretëror është në bisedime me francezët për një huazim me të drejtë blerjeje për Ceballos, por marrëveshja nuk do të përmbyllet pa gjetur fillimisht një zëvendësues të denjë.
Ceballos, ka luajtur shumë pak në dy ndeshjet e para të La Ligës, duke hyrë nga stoli. Pas ndeshjes ndaj Oviedos, ai publikoi një mesazh enigmatik në rrjetet sociale: “Vallëzimi i fundit”, duke shtuar zërat për një largim të mundshëm. Ai kërkon më shumë minuta për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës 2026.
Megjithëse ishte përfolur për një rikthim te Real Betis, Marseille është aktualisht destinacioni më i mundshëm.
Real Madridi ka investuar mbi 200 milionë euro këtë verë, duke sjellë emra si Trent Alexander-Arnold, Alvaro Carreras, Dean Huijsen dhe Franco Mastantuono. Por asnjë prej këtyre nuk është mesfushor, ndërkohë që ekipi ka humbur Luka Modric, i cili u transferua te AC Milan.
Klubi shqyrtoi rikthimin e Nico Paz nga Como, por vendosi të mos ndërpresë zhvillimin e tij, ndërsa po konsiderohet edhe promovimi i të riut Thiago Pitarch.
Në dy ndeshjet e para, mesfusha është mbështetur tek Arda Guler, Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, por përballë kalendarit të ngjeshur të La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, kërkohen më shumë alternativa.
Analistët e ESPN theksojnë se Real Madridi nuk duhet të lejojë largimin e lojtarëve pa siguruar zëvendësues cilësorë, pasi kjo do të dëmtonte ekuilibrin e skuadrës.
Ndaj, largimi i Ceballos nuk do të ndodhë pa ardhjen e një mesfushori të ri që përshtatet me projektin e Xabi Alonsos.
Me vetëm pak ditë deri në fundin e afatit kalimtar, bordi madrilen duhet të veprojë shpejt për të përmbushur këtë kërkesë të trajnerit.