Kush është Rio Ngumoha?

- Bota Sot

Kush është Rio Ngumoha?

Gjashtëmbëdhjetëvjeçari Rio Ngumoha është bërë kryefjala te Liverpuli. Ndonjëherë në futboll, mjafton shumë pak që të ndodhë diçka, por momenti magjik që anglezi prodhoi dje në ndeshjen e madhe kundër Njukasëll është një moment që do të shkruhet në histori.

Duke hyrë në lojë në minutën e 90-të dhe më pas duke shndërruar shansin e vetëm në zonën e penalltisë pas një pasimi të Szoboszlai dhe një asisti nga Salah, adoleshenti i të kuqve udhëhoqi ekipin drejt fitores.

Tifozët mbetën pa fjalë nga goditja e parë me të djathtën që vulosi fitoren 3-2, duke e bërë Ngumohan golashënuesin e katërt më të ri në historinë e Premier Ligës. Goli i tij i parë në karrierën e tij në ligën e parë angleze ishte gjithashtu falë intuitës së Arne Slot, i cili në fakt e kishte futur atë në formacionin e parë sezonin e kaluar në Kupën FA kundër Açrington.

Ai do të mbushë 17 vjeç të premten dhe tashmë mund të mburret se ka bërë debutimin e tij midis “djemve të mëdhenj” të futbollit anglez, madje duke mposhtur Njukasëllin. Megjithatë, për tifozët e Liverpulit nuk ishte surprizë të shihnin Ngumohan të shkëlqente në një skenë kaq të profilit të lartë, duke pasur parasysh paraqitjen që dha gjatë parasezonit të verës, me dy gola dhe dy asiste.

Rikujtojmë që ai vjen nga akademia e Çelsit dhe ata e dinin shumë mirë se kishin një talent të veçantë në duar. Në fakt, sipas BBC-së , largimi i tij vitin e kaluar shkaktoi zemërim dhe frustrim të madh, veçanërisht pasi klubi londinez ishte përpjekur ta mbante atë me disa oferta kontrate. “Rrëmbimi” i tij nga Liverpuli ishte një pengesë e papranueshme, deri në atë pikë sa Çelsi thuhet se i ndaloi skautët nga akademia rinore e të kuqve që të ndiqnin ndeshjet e akademisë së tyre.



Lexoni të gjitha në Bota Sot