Ndahet nga jeta talenti i madh

- Bota Sot

Ndahet nga jeta talenti i madh

Futbolli argjentinas është zhytur në zi, pas vdekjes së Santiago Valentino Guzman Zanni, një prej talenteve më premtues të akademisë së San Lorenzos, i cili u nda nga jeta vetëm 15 vjeç, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Klubi nga Buenos Aires e njoftoi lajmin me një komunikatë zyrtare, ku shprehu ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e lojtarit, duke e përshkruar si një djalë me guxim të jashtëzakonshëm:

“Familja e San Lorenzos është në zi. Me trishtim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Santiago Valentino Guzmán Zanni (15 vjeç), lojtar i akademisë sonë, i cili luftoi me guxim të jashtëzakonshëm kundër një sëmundjeje të rëndë.

Jemi pranë dhe përqafojmë familjen e tij, miqtë dhe të gjithë të dashurit e tij në këtë moment dhimbjeje të thellë.

Ky përqafim shkon edhe për mësuesit e tij, skuadrën e futbollit të të rinjve, shokët e ekipit dhe miqtë, për të gjithë ata që do ta ndiejnë mungesën e tij”.

Mesazhi i San Lorenzos vijoi me një tjetër shenjë respekti dhe afërsie: “Klubi është plotësisht në dispozicionin tuaj për t’ju ofruar mbështetjen e nevojshme. Në kujtim të Valen, San Lorenzo shpall tri ditë zie. Pusho në paqe, Valen! Do të jesh gjithmonë në zemrat tona”.

Ky njoftim plot dhimbje ka tronditur gjithë futbollin argjentinas. Guzmán Zanni, pavarësisht moshës së re, konsiderohej një nga talentet më premtues të akademisë së San Lorenzos.



Lexoni të gjitha në Bota Sot