Danimarka nuk e përjashton njohjen e një shteti palestinez , me kusht që ai të jetë demokratik, tha kryeministrja Mette Frederiksen .
“Ne nuk po i themi jo njohjes së një shteti palestinez”, tha Mette Frederiksen në një konferencë për shtyp.
“Ne jemi pro. Ne kemi qenë pro prej kohësh. Është ajo që dëshirojmë. Por padyshim që duhet të sigurohet që të jetë një shtet demokratik”, shtoi ajo.
Të dielën, të paktën 10,000 njerëz dolën në rrugë për të kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe për t’i bërë thirrje Danimarkës të njohë një shtet palestinez.
Në një intervistë me gazetën Jyllands-Posten në mesin e gushtit, Frederiksen kishte vlerësuar se “Netanyahu është tani vetë problemi”, duke gjykuar se qeveria e tij po shkonte “tepër larg”.
“Vazhdimi i politikës shumë të dhunshme të Netanyahut në Gaza është i papranueshëm”, kishte shkruar ajo gjithashtu në llogaritë e saj në mediat sociale, duke sqaruar megjithatë se që nga sulmi i 7 tetorit, ajo mbështet të drejtën e Izraelit për të eliminuar “kërcënimin që paraqet Hamasi”.
Sulmi hakmarrës i Izraelit ka vrarë të paktën 62,744 persona në Gaza, shumica e tyre civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit në Gaza, të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, dhe ka çuar në një katastrofë humanitare.