Saka i dëmtuar fut në telashe Arsenalin

- Bota Sot

Saka i dëmtuar fut në telashe Arsenalin

Bukajo Saka ka futur në alarm Arsenalin, pasi u lëndua të shtunën në ndeshjen që skuadra e Artetas fitoi ndaj Lidsit. Ylli i Kombëtares angleze u detyrua të lë fushën pas 53 minutash lojë.

Lajmet e fundit nga kampi i Arsenalit bëjnë të ditur se Saka do të jetë jashtë fushave nga 3 deri në 4 javë. Kjo do të thotë që anglezi do të jetë jashtë fushave për ndeshjen e të dielës ndaj Liverpulit.

Saka do të luftojë për t’u kthyer pas ndeshjeve ndërkombëtare për duelin tjetër të shumëpritur ndaj Mançester Sitin. Kujtojmë se sezoni i kaluar nuk ishte i lehtë për 23-vjeçarin, i cili humbi tre muaj të rëndësishëm pikërisht për një dëmtim të ngjashëm në bicepsin femoral.

Ndërkohë, kapiteni i “Topçinjve”, Martin Odegard, përballet me dyshime të mëdha sa i takon gjendjes fizike, pasi pësoi një dëmtim në shpatull në të njëjtën ndeshje kundër Lids. Mediat britanike tregojnë se ai u largua nga stadiumi “Emirates”, me shpatullën e lidhur çka ka ngritur dyshimet.

REKORDMENI DOUMAN – Ndërkaq, Arsenali “përkëdhel” talentin e ri 15-vjeçar, Maks Douman. Me vetëm 15 vjet e 235 ditë, ai zyrtarisht debutoi në Premier Ligë, teksa hyri në lojë tek Arsenali si zëvendësues në pjesën e dytë, në fitoren 5-0 ndaj Lidsit. Me hyrjen në lojë në minutën e 64-t, Douman mori një përkrahje mjaft të madhe, sepse tifozët e Arsenalit tek Doumani shohin perspektivë të madhe. Njësoj edhe trajneri i londinezëve, Arteta: “Është një djalosh që nuk heziton fare dhe është i bindur që si 15-vjeçar mund të hyjë në lojë dhe të shfaqë atë që di”, ka thënë spanjolli. Guxohet deri aty saqë thuhet se ai mund të jetë përgjigjja e Anglisë, për djaloshin çudibërës të Spanjës dhe Barçës, Lamin Jamal.

SI ERDHI DERI KËTU? – Douman u lind në Chelmsford, një qytet në Essex, në juglindje të Londrës dhe iu bashkua Arsenalit më 5 maj 2015. Ai debutoi për U-18 të Arsenalit si 13-vjeçar dhe u bë golashënuesi më i ri në “UEFA Youth League” si 14- vjeçar, kur luante me ekipin U-19. Douman ishte 14 vjeç kur u ftua nga Arteta të stërvitej me ekipin senior të Arsenalit në dhjetor të vitit të kaluar dhe shkëlqeu me ekipin në përgatitje, në ndeshjet në Azi kundër Milanit dhe Njukasëll. Ai është mëngjerash dhe luan në krahun e djathtë. I pëlqen të futet në thellësi.

Mjaftoi njëri prej driblimeve të tij në krahun e djathtë, për t’u fituar penallti në kohën shtesë dhe që u shndërrua në gol nga Gyokeres. Po a është lojtari më i ri në Premier? Jo! Douman është i dyti në histori, prapa lojtarit tjetër të Arsenalit, Etan Nuaneri, i cili ishte 15 vjeç e 181 ditë kur hyri në lojë si zëvendësues kundër Brentfordit në shtator të 2022-shit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot