Kairat Almaty ka arritur një moment historik, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Champions League. Klubi kazak eliminon Celtic Glasgow pas një sfide të ashpër, të mbyllur 0-0 në të dyja ndeshjet, duke triumfuar më pas me penallti.
Ndeshja e kthimit në Skoci ishte e zbehtë në ritëm, me shumë kujdes nga të dyja skuadrat. Rastet ishin të pakta, por më i rrezikshmi për Celtic erdhi nga James Forrest, i cili u ndal nga portieri Temirlan Anarbekov me një pritje vendimtare. Nga ana tjetër, Kairat pati më shumë kontroll, por pa arritur të gjejë golin që do ta qetësonte takimin.
Në pjesën e dytë, tensioni u rrit. Celtic shpëtoi nga një episod i dyshimtë kur një goditje e Jorginho-s u ndal me dorë nga Daizen Maeda, por pas verifikimit me VAR penallti nuk u dha. Mundësia më e artë iu shfaq vetë Maeda-s pesë minuta nga fundi, por japonezi humbi shansin e artë duke gjuajtur mbi traversë. Në shtesë, skocezët shtuan presionin, por Anarbekov mbeti i pathyeshëm.
Gjithçka u vendos me penallti, ku nervat dhe mungesa e saktësisë dolën në pah. McCowan dhe Idah gabuan për Celtic, ndërsa Anarbekov u shndërrua në heroin e Kairat duke pritur penalltinë e Maeda-s, që vulosi suksesin 3-2 për kazakët.
Ky është një moment historik për Kairatin, që hyn për herë të parë në mesin e më të mëdhenjve të Europës. Ndërkohë, Celtic mbetet me hidhërim, duke humbur një tjetër shans për të rikthyer lavdinë kontinentale.