Ish-trajneri i Juventusit, Milanit dhe Romës, Fabio Capello, në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ ka dhënë mendimin e tij për sezonin e ri, si në Serie A ashtu edhe në Champions League.
Cilat janë shpresat e skuadrave italiane?
"Të gjitha gjigantet e Europës janë përforcuar – thotë Capello – dhe niveli, krahasuar me një vit më parë, është rritur. E atëherë? Atëherë duhet të armatosemi me grintë dhe besim, sepse të luftosh me gjigantët dhe të arrish në majë është e mundur", siguron ai.
Në këtë kuadër, Capello foli edhe për Napolin:
"Fushata e merkatos e klubit të De Laurentiis flet qartë, është e kotë të fshihemi. Skuadra është ndërtuar me shumë kujdes për të qenë konkurruese si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Kampionëve. Sigurisht, mungesa e Lukakut do të ndihet, sepse belgu është një sulmues i mësuar me skenën e Championsit dhe sepse lëvizjet e tij ishin thelbësore në zhvillimin e lojës së Contes.
Por lëvizja e Napolit, që për ta zëvendësuar sulmuesin titullar dëshiron të afrojë Hojlund, tregon edhe një herë ambiciet e mëdha të skuadrës: Conte dhe lojtarët e tij mund të jenë protagonistë edhe në Europë. Për Antonion mund të jetë ky momenti i duhur për të shkuar deri në fund të një turneu ku nuk ka arritur kurrë të spikasë vërtet."
Capello foli edhe për Interin:
"Zikaltrit duhet ta shndërrojnë zemërimin dhe hidhërimin për finalen e Monakos në energji pozitive për ta provuar sërish. Nisja e vrullshme në Serie A e justifikon optimizmin. Interit nuk i mungon asgjë për të shkuar deri në fund edhe këtë herë: ka strukturë, mentalitet dhe lojtarë dhe me lojtarë nënkuptoj edhe afrimet e reja, që më në fund janë në lartësinë e titullarëve."