Ursula von der Leyen dënon ofensivën ruse ndaj Kievit: Rusia të ndalë sulmet dhe të angazhohet në negociatat për paqe

- Bota Sot

Ursula von der Leyen dënon ofensivën ruse ndaj Kievit: Rusia të ndalë sulmet dhe të angazhohet në negociatat për paqe

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi sulmin e ri rus ndaj Kievit, si dhe goditjen ndaj delegacionit të BE-së në kryeqytetin ukrainas, në një postim në platformën X.

“Një tjetër natë me bombardime të pandërprera ruse ka goditur infrastrukturën civile dhe ka vrarë njerëz të pafajshëm. Gjithashtu ka goditur delegacionin tonë të BE-së në Kiev. Stafi i delegacionit tonë është i sigurt. Rusia duhet të ndalojë menjëherë sulmet e saj pa dallim ndaj infrastrukturës civile dhe të angazhohet në negociata për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, theksoi Presidentja e Komisionit në mesazhin e saj.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i tronditur” sot nga sulmi i ri masiv i nisur nga Rusia kundër Kievit, i cili vrau të paktën 13 persona dhe dëmtoi ndërtesën e misionit diplomatik të BE-së.

“Mendimet e mia janë me viktimat në Ukrainë, por edhe me stafin e delegacionit të BE-së, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga këto sulme të qëllimshme nga Rusia”, shkroi Costa në X. “BE-ja nuk do të frikësohet. Sulmi i Rusisë vetëm sa forcon vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj”, theksoi ai.

Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, sqaroi se misioni diplomatik “pësoi dëme serioze nga vala e goditjes” së bombardimeve.

Një foto e postuar nga Costa tregon shkallën e dëmit në zyrat e delegacionit evropian, çatia është shembur dhe dritaret janë thyer. Megjithatë, asnjë anëtar i delegacionit nuk është lënduar, sipas një diplomati evropian.

Nga ana e saj, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, komentoi për X: “Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse kundër zonave ku ndodhen civilë.”

“Unë i dënoj pa mëdyshje këto sulme brutale, një tregues i qartë se Rusia refuzon paqen dhe preferon terrorizmin. Solidariteti ynë i plotë është me stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky sulm”, shtoi komisionerja sllovene.



Lexoni të gjitha në Bota Sot