Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin e ka komentuar vendimin e Leon Avdullahut për ta lëshuar mundësinë për të luajtur për ekipin Helvetik dhe për ta zgjedhur Kombëtaren e Kosovës.
Ylli i ri i Hoffenheimit e mori këtë vendim së fundmi, ndërsa u kritikua vendimi i tij në Zvicër, aty ku u lind e u rrit, dhe ku luajti në ekipet zinxhir të Zvicrës, shkruan “Gazeta Express”.
“Sa e di unë, kemi punuar fort për të gjatë pranverës. Natyrisht, me kalimin në Bundesligë, tash i ka synimet dhe pritshmëritë e veta. E kam një ndjenjë që nuk ishte e lehtë për të. Duhet ta pranojmë faktin se ka vendosur ta ndërrojë Kombëtaren“, tha fillimisht Yakin në konferencë për shtyp.
“Natyrisht, është një zhgënjim për ne, për të të ardhur keq që ka ndodhur kjo. Interpretimi im është se ai ka konkurrencë të madhe në mesfushë (tek Zvicra) dhe ka dëshirë të luajë menjëherë (tek Kosova)”, shtoi Yakin.
“E pata një bisedë të gjatë me të në pranverë dhe ia shpjegova perspektivat sportive.
Siç e shoh unë, ai nuk e ka zgjedhur rrugën sportive. Nëse dikush ndihet ndryshe për kulturën, ne nuk mund të ndikojmë këtu”, përfundoi ai.
Avdullahu pritet të ftohet nga selektori Franco Foda qysh në ndeshjet e shtatorit, pikërisht kundër Zvicrës, dhe ndaj Suedisë, në kualifikimet e Botërorit 2026.