Kampionët bullgarë të Ludogorets sonte në Razgrad do të kërkojnë përmbysje kundër Shkëndijës në ndeshjen e kthimit të play-offit për Ligën e Evropës.
Skuadra e Ludogoretsit pësoi humbje në takimin e parë në Shkup me rezultat 2:1 dhe tashmë janë të detyruar të kërkojnë fitore për të siguruar kalimin në fazën e grupeve të garës së dytë më të rëndësishme evropiane për klube.
Rui Mota, trajneri i Ludogoretsit, shpalosi pritshmëritë e tij para ndeshjes së kthimit të play-offit të Ligës së Evropës kundër Shkëndijës.
“Presim të bëjmë shumë më mirë se në ndeshjen e parë.
Tashmë kemi bërë analizën me lojtarët dhe me gjithë ekipin. E dimë çfarë duhet të ndryshojmë dhe shpresojmë ta zbatojmë në fushë.
Do të hyjmë në këtë ndeshje sikur të jemi duke humbur. Që nga minuta e parë, ideja jonë do të jetë ta fitojmë ndeshjen. Kjo është në mendjen e futbollistëve.
Shpresoj që rezultati i takimit të parë të ketë qenë vetëm një rastësi që nuk do të përsëritet,” tha Mota.
Kuqezinjtë nga Tetova shkojnë në këtë duel me një epërsi minimale, por me moral të lartë pas suksesit në ndeshjen e parë.
Takimi zhvillohet sonte në orën 19:30 në stadiumin e Razgradit. Fituesi i këtij çifti do të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa skuadra e eliminuar kalon automatikisht në grupet e Ligës së Konferencës.