Drita e Gjilanit ka sot mundësinë më të madhe për të shkruar histori në futbollin kosovar.
Pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë të ‘play–off’-it kundër Differdanges në “Fadil Vokrri”, kampionia e Kosovës udhëton drejt Luksemburgut me objektivin e qartë: ta konfirmojë kualifikimin në fazën e ligës së Europa Conference League.
Skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani e di se ka bërë vetëm gjysmën e punës. Me një gol avantazh, Dritës i duhet të tregojë disiplinë dhe vendosmëri përballë një kundërshtari që do të kërkojë përmbysjen para tifozëve të vet.
“Na pret edhe një pjesë tjetër, kemi përfunduar vetëm 50 për qind të punës”, kishte paralajmëruar Ramadani pas suksesit në Prishtinë.
Në formë të shkëlqyer është Veton Tusha, i cili ka shënuar tre gola dhe ka dhënë një asistim në garat evropiane, duke u kthyer në armën kryesore të Dritës.
Në rast suksesi, Drita do të bëhej ekipi i dytë nga Kosova që arrin në fazën e grupeve të një gare evropiane, pas Ballkanit. Kjo do të ishte fitorja e katërt ndaj Differdange këtë edicion dhe pa dyshim kulmi i një vere evropiane plot emocione.
© SYRI.net