Ndonëse dominimi i MekLarenit ka qenë absolut në pjesën e parë të sezonit, si për pilotë gjithashtu edhe për konstruktorë, Andrea Stela, drejtuesi i skuadrës portokalli, beson se gara për titull në Formula 1 do të ashpërsohet në garat e mbetura të kampionatit, ku Ferrari pritet jetë një nga rivalët më të fortë.Në prag të Çmimit të Madh të Holandës në Zandvort, italiani ka folur për rivalët kryesorë dhe pritshmëritë për pjesën e dytë të sezonit.
“Mendoj se Ferrari do të jetë një pretendent serioz për fitore në çdo garë deri në fund. Si në kualifikuese, ashtu edhe në garë, do të na duhet të përballemi me ta”, tha Stela për faqen zyrtare të Formulës 1.
Në garën e fundit në Hungari, Sharl Lëklerk siguroi “pole position”- in e parë sezonal për veten dhe Ferrarin, duke udhëhequr fillimisht garën përpara se problemet teknike ta pengonin. Për Stelan, kjo ishte një tjetër dëshmi e përmirësimeve që ka bërë Ferrari kohët e fundit.
“Lëklerk po menaxhonte garën me siguri. Nuk jam i surprizuar, pasi Ferrari ka qenë konkurrues në eventet e fundit, si në pistën e thatë të Silverston, ashtu edhe në Belgjikë. Edhe pse nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht këto raste, janë shumë të fortë”, shtoi Stela.
Përveç Ferrarit, Stela sheh edhe Mercedesin si një kërcënim serioz, ndërsa është i bindur se as Maks Vershtapen nuk do të qëndrojë jashtë loje për shumë gjatë.
“Edhe Mercedesi do të jetë një rival i fortë. Vershtapen nuk ishte në formën e tij më të mirë në Hungari, por jam i sigurt që do të rikthehet fuqishëm dhe do të luftojë për fitore. Në këtë sport, asgjë nuk është e sigurt”, përfundoi drejtuesi i Meklarenit.