Trajneri i basketbollit, Andin Rashica, ka hedhur një hap të madh në karrierën e tij profesionale, duke nënshkruar me klubin turk ONVO Buyukçekmece, që garon në elitën e basketbollit turk.
Pas një periudhe të suksesshme në krye të Kosovës U20, ku arriti një rezultat historik duke e kualifikuar ekipin në TOP 8 të Evropës, Rashica do të marrë rolin e trajnerit asistent në skuadrën e njohur turke.
Ky angazhim i ri shihet si një hap i rëndësishëm për karrierën e tij, pasi liga turke e basketbollit konsiderohet ndër më të fortat dhe më konkurrueset në Evropë, duke prodhuar lojtarë e trajnerë në nivelet më të larta të sportit.
Në sezonin e kaluar, Rashica ishte pjesë e stafit teknik të skuadrës Manisa, por për shkak të disa problemeve me dokumentacion u detyrua të rikthehej në Kosovë në muajin janar.
Megjithatë, puna dhe përvoja e tij e fituar në Turqi dhe me përfaqësuesen e Kosovës kanë qenë referencë e fortë për marrëveshjen e re.
“Familja e ONVO Büyükçekmece i uron mirëseardhje Andin Rashicës dhe i dëshiron shumë suksese në detyrën e tij të re”, thuhet në njoftimin e klubit turk.