“Italia po ndjek një politikë të ‘dumping’-ut fiskal”. Kështu është shprehur kryeministri francez François Bayrou gjatë një interviste televizive, ku foli për rrezikun që qytetarët francezë më të pasur mund të largohen jashtë vendit nëse qeveria franceze ndërmerr masa fiskale që prekin këtë shtresë. Ai theksoi se “tashmë ka një lloj nomadizmi fiskal dhe secili transferohet atje ku i leverdis më shumë”.
“Shikoni Italinë, që po zbaton një politikë të ‘dumping’-ut fiskal”, tha Bayrou duke iu referuar përfitimeve të parashikuara për ata që transferohen në Itali apo kthehen atje pas disa vitesh qëndrimi jashtë vendit.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar stafi i kryeministres Giorgia Meloni, ku përmes një deklarate thuhet: “Na habisin deklaratat plotësisht të pabazuara të kryeministrit francez François Bayrou, sipas të cilave Italia po bën ‘dumping fiskal’, duke dëmtuar Francën. Ekonomia italiane është tërheqëse dhe po ecën më mirë se të tjerat falë stabilitetit dhe besueshmërisë së vendit tonë”.
“Dumping” është një term ekonomik që përdoret kur një shtet ose një kompani ofron produkte ose kushte ekonomike më të favorshme sesa normalisht, për të tërhequr investime, kompani ose njerëz nga vende të tjera. Në kontekstin fiskal, bëhet fjalë për ulje të qëllimshme të taksave apo ofrim lehtësirash të mëdha fiskale, për ta bërë një vend më tërheqës për të huajt ose për të pasurit që duan të zhvendosen atje.
Sipas “Corriere Della Sera“, në deklaratën e qeverisë italiane theksohet gjithashtu se “Italia nuk zbaton politika të pajustifikuara të favorshme fiskalisht për të tërhequr kompani europiane dhe, për më tepër, kjo qeveri ka dyfishuar barrën fiskale të përshkallëzuar që prej vitit 2016 për personat fizikë që transferojnë rezidencën në Itali”.
Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar gjithashtu edhe partia italiane “Lega”. Në një deklaratë, partia e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini u shpreh: “Sulmi ndaj Italisë është i rëndë dhe i papranueshëm, një goditje ndaj sipërmarrësve dhe punëtorëve tanë, nga një qeveri franceze që ndodhet në krizë të plotë. Le të mbajnë për vete nervozizmin dhe polemikat, ne preferojmë të punojmë”.