Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar ndaj një artikulli të gazetës britanike Guardian, por kjo e fundit publikoi tekstin e tij vetëm në seksionin "letra nga lexuesit".
Teksti i Vuçiq u botua në botimin e shtypur të Guardian në suplementin e fundjavës, në faqen shtatë në seksionin "letra nga lexuesit".
Disa nga temat në këtë seksion përfshijnë problemet me lëvizjen e muzikës black metal, opinione mbi një intervistë me Nick Clegg një politikan britanik në pension dhe ish-kryetar i Demokratëve Liberalë, dhe ekziston edhe një seksion "Ditar i vendit", ose, siç e përshkruan The Guardian, "raporte ditore nga fshati dhe natyra".
Guardian më 25 gusht, kishte shkruar se protestuesit në Serbi meritojnë më shumë mbështetje dhe solidaritet nga Bashkimi Evropian sesa po marrin. Gazeta britanike e vlerësoi praninë e Vuçiq në politikën e Ballkanit Perëndimor si "malinje".
Sipas Guardian, përgjigja autoritare ndaj protestave kontribuoi në rënien e besimit publik te një udhëheqës që përdori pushtetin e shtetit për ti shërbyer interesave të tij politike. Gazeta gjithashtu shkroi se Serbia ka nevojë për "zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një përmbysje të regjimit autoritar të dekadës së kaluar".
Ndërsa në reagimin e tij, Vuçiq vlerësoi se Serbia është thellësisht e orientuar drejt Evropës dhe se 23.000 tubime të paligjshme u mbajtën në nëntë muajt e fundit dhe shumica e tyre ishin të vogla dhe “kohët e fundit u bënë të dhunshme.”