Pas shumë përpjekjesh, ka marrë fund saga e Alexander Isak, i cili tani mund të konsiderohet futbollist i ri i Liverpoolit.
Kalimi i tij në “Anfield” është konfirmuar nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, duke i dhënë fund një historie të gjatë spekulimesh.
Marrëveshja mes Liverpoolit dhe Newcastle United kap shifrën e 130 milionë funteve, duke e bërë këtë transferim rekordin më të madh në historinë e Ligës Premier.
Sulmuesi suedez, 25 vjeç, do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore sot (e hënë). Klubi nga “Anfield” synon që prezantimin zyrtar ta bëjë menjëherë pas përfundimit të procedurave, për të mbyllur me sukses një nga operacionet më të mëdha të afatit kalimtar veror.
Shuma e paguar për Isakun tejkalon rekordin e mëparshëm të Liverpoolit, që këtë verë kishte shpenzuar 116 milionë funte për mesfushorin gjerman Florian Wirtz. Kjo tregon qartë ambiciet e klubit për të ndërtuar një skuadër edhe më konkurruese.
Largimi i Isakut nga Newcastle nuk erdhi rastësisht. Ai kohë më parë kishte shfaqur hapur pakënaqësitë e tij, duke akuzuar drejtuesit për mosmbajtje të premtimeve dhe duke e lënë të hapur mundësinë e një largimi nga St. James’ Park.
Tani, ai është gati t’i bashkohet Liverpoolit të Arne Slot, trajneri i cili ka misionin të forcojë repartin e sulmit dhe të mbrojë titullin e Ligës Premier Ligës.
Liverpooli e ka nisur sezonin në mënyrë perfekte, me tre fitore nga tre ndeshjet e para, përfshirë edhe triumfin e ngushtë 1–0 ndaj Arsenalit.