Kristjan Asllani ka folur në konferencë për shtyp, ndërsa Torino barazoi pa gola përballë Fiorentinës në Seria A. Mesfushori i Kombëtares e kishte ndeshjen e tij debutuese te klubi ku ndodhet në huazim.
Asllani u pyet për ndjesitë dhe situatën. 23-vjeçari tregoi se gjithë fokusin e ka te Torino ku pritet të jetë titullar i padiskutueshëm.
Si e patë Torinon dhe si shkoi ndeshja?
Jam pak i lodhur, kishte shumë kohë që nuk kisha luajtur. Dje pata një shqetësim të vogël, por sot u ndjeva mirë fizikisht. Skuadra dinte të vuante, pas një humbjeje 5-0 nuk ishte e lehtë. Ishim skuadër, ishte e rëndësishme të jepnim një përgjigje.
A e ndjeve protestën e tifozëve?
Tifozët janë të lirë të bëjnë çfarë të duan, ne gjithmonë përpiqemi të fitojmë, por është e vështirë. Sot bëmë një ndeshje të mirë. Unë kam dashur të vij këtu, e kam kërkuar vetë dhe jam i kënaqur: trajneri më ka dashur, është vendi i duhur për mua.
Ka pasur ndonjë kontakt me Fiorentinën?
Nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Fiorentina, nuk ishte një opsion dhe nuk më kanë kërkuar kurrë. Më kanë kërkuar shumë ekipe, kam zgjedhur me qetësi dhe kam zgjedhur vendin ku mund të jap më të mirën.
Sa shumë të kishte munguar fusha?
Shumë. Të vish me ndjesinë se do të luash titullar është diçka e bukur. Kam qenë tre vite në një skuadër të madhe, i kam falënderuar të gjithë, por kishte ardhur koha për ndryshim për të gjithë. Ishte e vështirë të gjeja hapësira, Torino është vendi perfekt për mua.
Po kërkon edhe golin?
Duhet të përmirësohem, ka goditje dënimi dhe duhet të rikthehem te goli. E kam aftësinë për gola, nuk shënoj 8 në sezon, por mund të shënoj. Sot mbuloja Gudmundson, ishte e rëndësishme të jepnim një përgjigje.
E ndjen veten si pjesë afatgjatë e Torinos?
Është e qartë, që shpreson të qëndrosh gjatë, pastaj janë dinamikat e merkatos. Duhet të bëj mirë për të gjithë, duhet të jap përgjigje dhe të jem një shembull.