Klubet e Premier League kanë thyer çdo rekord historik në shpenzimet e merkatos së verës, duke kaluar shifrën 3 miliardë paund, shumë më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 2.4 miliardë paund në vitin 2023.
Rekordi kombëtar u vendos nga Liverpool, që pagoi 125 milionë paund për Alexander Isak, ndërsa më herët kampionët e Anglisë kishin blerë Florian Wirtz për 100 milionë paund, një marrëveshje që me bonuset mund të shkojë deri në 116 milionë.
Veç këto dy lëvizje e çuan shifrën e shpenzimeve të klubit në rreth 400 milionë paund. Fjala është për një “stuhi perfekte” faktorësh që kanë rritur ndjeshëm fuqinë financiare të klubeve angleze: Garancitë nga të ardhurat televizive marrëveshja e re vendase për katër vitet e ardhshme, që siguron stabilitet financiar.
Dominimi në Europë gjashtë klube angleze janë në Champions League, duke gjeneruar 50-100 milionë £ secila. Fitime nga Club World Cup, Manchester City dhe Chelsea morën respektivisht 40 dhe 80 milionë £.
Marrëveshje gjigante komerciale si kontrata e City me Puma (1 miliard £/10 vjet) dhe ajo e Liverpool me Adidas (60 milionë £ në vit + bonuse). Më pak kufizime nga rregullat e PSR krahasuar me verën e kaluar, kur shumë klube u penalizuan. Kieran Maguire, ekspert i financave të futbollit në Universitetin e Liverpoolit, theksoi se një pjesë e madhe e shpenzimeve është bërë mes vetë klubeve angleze, duke krijuar një efekt zinxhir në merkato.
Po ashtu, Liverpool siguroi të ardhura të mëdha nga shitjet e Luis Diaz (65 milionë £) dhe Darwin Nunez (46 milionë £), që i lejuan të investojnë agresivisht pa rrezikuar penalitete financiare.