Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar futbollistin Edon Zhegrova për transferimin e tij të madh te gjiganti italian, Juventus.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social ‘Instagram’, Kurti bëri të ditur se ka zhvilluar një videolidhje me yllin, duke e përgëzuar për këtë hap të rëndësishëm në karrierë.
Ai tha se të gjithë jemi krenarë me të.
“Nuk ka lajm më të rëndësishëm këtë javë sesa lajmi për transferimin e Edon Zhegrovës në Juventus. Lojtari më i ri i ‘Zonjës së Vjetër’, që ëndrrën e tij e bëri realitet, tash është ëndrra e shumë të rinjve që e duan futbollin siç e do Edoni.
Ai është shumë krenar që po e përfaqëson vendin e popullin tonë në futbollin ndërkombëtar, e ne të gjithë jemi krenarë me të. Me Hajrën sot e uruam dhe përgëzuam për këtë arritje të tij të jashtëzakonshme dhe i uruam gjithë shëndet, fat e shumë suksese!”, shkroi Kurti.