A do të rriten tatimet në Gjermani?

- Bota Sot

A do të rriten tatimet në Gjermani?

Buxheti gjerman për vitin 2027 po përballet me një deficit prej disa miliardë eurosh. Prandaj, Ministri i Financave Lars Klingbeil  nuk e përjashton një rritje të tatimeve për ata që kanë të ardhura të larta. Kristiandemokratët janë të indinjuar. Tani Klingbeil, i cili është edhe kreu i SPD-së, ka sqaruar qëndrimin e tij në emisionin "Bericht aus Berlin", duke theksuar se të gjithë duhet të japin kontributin e tyre.

Për disa javë tani, në Gjermani ka pasur një debat nëse nevojiten taksa më të larta për të pasurit në mënyrë që të mbyllet boshllëku buxhetor prej më shumë se 30 miliardë eurosh. Ministri i Financave, Lars Klingbeil e njoftoi këtë në një intervistë në ZDF në mesin e gushtit, po u përball me rezistencë të ashpër nga partnerët e koalicionit nga partitë CDU/CSU.

Tani Klingbeil ka mbrojtur dhe specifikuar qëndrimin e tij në emisionin "Bericht aus Berlin". Ai tha se deficiti buxhetor për vitin 2027 ishte rritur më tej për shkak të projekteve të tilla si "pensioni i nënave" dhe kompensimi për komunat si pjesë e projektit "stimulimi i rritjes".

"Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë një qeveri federale që është dashur të mbyllë një boshllëk kaq të madh në buxhet," tha Klingbeil. "Dhe unë këshilloj që të gjitha opsionet të mbahen të hapura derisa të mund të njoftojmë se 30 miliardë janë shlyer dhe se ky boshllëk është mbyllur."

Klingbeil paralajmëron për rrezikun e "shkurtimeve sociale"

Duke reflektuar mbi refuzimin e demokratëve të krishterë për të diskutuar rritjen e taksave, Klingbeil tha: "Pyes veten se çfarë idesh do të propozojë kancelari dhe të tjerët për të mbyllur deficitin prej 30 miliardësh."

Udhëheqësi i SPD-së paralajmëroi se shkurtimet në sistemet sociale nuk duhet të jenë objektivi kryesor në këtë kontekst: "Ka disa, ndonjëherë e vërej këtë në debatin politik, të cilët duket se mendojnë se të gjitha paratë mund të kursehen në pensione, kujdes shëndetësor, kujdestari për personat e pamundur dhe gjëra të tjera."

Klingbeil tha se tani bëhet fjalë për të gjithë paketën, e cila duhet të jetë e drejtë dhe e balancuar. "Do të duhet tu kërkojmë njerëzve diçka, kjo është e vërtetë. Por është shumë e rëndësishme që të ketë një ndjenjë se kjo i përket të gjithëve dhe se të gjithë duhet të kontribuojnë." Ai shtoi se ishte i kënaqur që debati për këtë po fillon tani. "Është e rëndësishme për mua që të mos fillojmë vetëm kur të afrohet buxheti i vitit 2027, por ta bëjmë këtë në javët në vijim."

Merz kundërshton qartë rritjen e taksave

Ndërkohë, kancelari federal Friedrich Merz e ka hedhur poshtë qartë idenë e rritjes së taksave. CDU/CSU dhe SPD ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit që taksat nuk do të rriteshin, tha kryetari i CDU-së në një intervistë verore me ZDF, duke shtuar: "Marrëveshja e dakorduar e koalicionit qëndron."

Tema u diskutua gjerësisht në negociatat e koalicionit. Në atë kohë, kreu i CSU-së, Markus Söder dhe kreu i CDU-së, Friedrich Merz ia bënë të qartë Klingbeil se nuk do ta nënshkruanin marrëveshjen nëse SPD këmbëngulte në rritjen e taksave. "SPD e di shumë mirë këtë," tha Merz.

Kancelari shtoi: "Fakti që SPD ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje është po aq i mirë sa fakti që ne kemi pikëpamjet tona për çështje të tjera. Ne nuk po kërkojmë atë që na ndan. Ne po kërkojmë atë që na lejon të qeverisim së bashku dhe me përgjegjësi."

Söder i bën thirrje SPD-së që të respektojë marrëveshjen

Söder kritikoi gjithashtu propozimet e Klingbeil. "Jo, nuk po rrisim tatimet tani. Duhet ti ulim tatimet", i tha ai Handelsblatt. "Kushdo që nënshkruan një marrëveshje koalicioni duhet ta zbatojë atë dhe jo ta vërë gjithçka në pikëpyetje pas disa muajsh".

Söder kundërshtoi gjithashtu idenë e disa deputetëve të CDU-së ti ofrojnë SPD-së tatime më të larta për të pasurit në këmbim të reformave në sistemin e mirëqenies sociale. "Kjo është jashtë çdo diskutimi për mua", theksoi kreu i CSU-së. Söder theksoi se kostot e shkaktuara nga migrimi dhe shfrytëzimi i sistemeve të mirëqenies sociale kanë shpërthyer dhe se nevojitet një "përditësim themelor".

Ai po bën thirrje përsëri për një reformë të ndihmave sociale, të quajtur "Bürgergeld", që nënkupton kritere më të rrepta për ata që refuzojnë punën ose marrin para nga shteti për strehim dhe shërbime. Ky qëndrim mbahet edhe nga kreu i CDU-së dhe kancelari Friedrich Merz./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot