Policia njoftoi sot se aksidenti i djeshëm me fatalitet në fshatin Gjonaj të Prizrenit ndodhi nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë, kur shoferi i një automjeti goditi për vdekje me veturë këmbësoren 38-vjeçare, Merita Cakaj – Hodaj nga Kabashi i Hasit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Referuar njoftimit, shoferi E.K., 28-vjeçar nga Zymi i Hasit, drejtues i automjetit të përfshirë në aksident, është dorëzuar në Stacionin Policor të Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjtit derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë, ka shkaktuar aksidentin duke goditur viktimën femër kosovare e cila ishte duke kaluar rrugën”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Familjarët njoftuan se 38-vjeçarja do të varroset, sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Kabash të Hasit.