Fermin Lopez thyen heshtjen, flet më në fund për përçarjen me Gavin

- Bota Sot

Fermin Lopez thyen heshtjen, flet më në fund për përçarjen me Gavin

Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka reaguar ndaj spekulimeve për një përçarje në marrëdhënien me shokun e tij të skuadrës, Gavi.

Në një intervistë për gazetën Mundo Deportivo, Fermin ka mohuar kategorikisht lajmet që flasin për tension mes tyre, duke theksuar lidhjen e ngushtë që kanë ndërtuar prej vitesh.

Duke folur nga kampi stërvitor i kombëtares spanjolle në Ciudad del Futbol, Fermin sqaroi se miqësia me Gavin ka rrënjë të thella që nga koha kur ishin fëmijë dhe se thashethemet nuk i ndryshojnë ndjenjat e tij.

“Gavi ka qenë shoku im që kur isha 12 vjeç. E njoh që nga koha ime te Betis, por që kur u bashkova me La Masian, ai ka qenë shoku im, si vëllai im”, ka thënë fillimisht Fermin.

Të dy lojtarët, të lindur në vitet 2003 dhe 2004, kaluan nga akademia e Real Betisit te ajo e Barcelonës, ku krijuan një lidhje të fortë brenda dhe jashtë fushës. Fermin theksoi se miqësia e tyre ka kaluar prova të ndryshme dhe nuk ndikohet nga zërat në rrjetet sociale apo mediat.

“Kemi ndarë shumë gjëra. Njerëzit gjithmonë spekulojnë; kjo nuk do të ndryshojë, por ai është ende miku im”, tha më tej mesfushori, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre mbetet e pandryshuar dhe shumë e mirë, si gjithmonë.

Spekulimet për një krisje mes tyre nisën së fundmi në rrjetet sociale, ndonëse të dy janë pjesë kyçe e mesfushës së Barcelonës nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Deklaratat e tij synojnë të qetësojnë situatën dhe të tregojnë se pavarësisht presioneve dhe zhurmës së jashtme, lidhjet personale që krijohen në futboll shpesh janë më të forta se spekulimet. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot