Ndryshe nga Shqipëria, që kthehet në fushë për një ndeshje miqësore, rivalët e saj në Grupin K do të luajë sfidat e radhës në kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Kalendari i ka rezervuar Anglisë një sfidë të lehtë siç është ajo në “Wembley” kundër Andorrës.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel kryeson grupin me tre fitore radhazi, ndërsa kërkon të mbyllë kualifikimin që në sfidat e shtatorit, pasi përveç Andorrës, “Tre Luanët” do të luajnë në datën 9 në transfertën kundër Serbisë.
Mungesat e mëdha të Anglisë për këto dy sfida janë ato të Jude Bellingham, Bukayo Saka dhe Liam Delap. I pari vijon rikuperimin pas operacionit në shpatull, ndërsa dy të tjerët u dëmtuan në sfidat e Premier League.
Pas impenjimit në finalet e Nations League, për herë të parë në sfidat e shtatorit për eliminatoret e Botërorit 2026 zbresin në fushë edhe gjigandët e tjerë të futbollit në kontinentin e vjetër si Gjermania, Spanja, Franca dhe Portugalia.
Ato do të luajnë sfidat e para kualifikuese në grupet e tyre.
Gjermania debuton të enjten në transfertën kndër Sllovakisë në Grupin A, ndërsa Spanja do të luajë në fushën e Bullgarisë për Grupin E.
Të dyja skuadrat kërkojnë të nisen me fitore, për të shpërblyer parashikimet që i shohin favorite në grupet e tyre.
Në datën 5 është radha e Francës për të bërë debutimin e saj në kualifikueset e Kupës së Botës.
“Gjelat” do të luajnë kundër Ukrainës në fushë neutral sfidën e parë në Grupin D. Pavarësisht se ndeshjet e fundit nuk kanë qenë shkëlqyese, skuadra e Deschamps konsiderohet gjithashtu pretendente.
Në të njëjtën mbrëmje do të jetë e impenjuar edhe Italia. Në pankinën e kaltër debuton trajneri Genaro Gattuso.
Sfida e parë e tij është ajo kundër Estonisë, ndërsa çdo gabim mund t’I kushtojë Italisë qëndrimin jashtë finaleve të një Botërori për herë të tretë radhazi.
Në datën 6 shtator skenën e merr Portugalia e Cristiano Ronaldo. Pas triumfit në Nations League, skuadra luzitane kërkon të debutojë me fitore në sfidën e parë eliminatore të Grupit F në transfertën kundër Armenisë.