Shpresat kuqezi do të ndeshen të premten e 5 shtatorit në “Elbasan Arena” përballë Gjermanisë ndërsa tre ditë më vonë do të udhëtojnë drejt Araut ku do të sfidojnë Zvicrën. Të dy rivalet janë të një niveli të lartë dhe pritet që të jenë një tregues i qartë për formën që gëzojnë të besuarit e Alban Bushit.
Për këto dy takime dha përshtypjet e tij Erald Maksuti, i cili aktivizohet me ekipin e Flamurtarit në vendin. Sulmuesi vlerësoi Gjermaninë dhe Zvicrën si dy kundërshtarë mjaft të fortë, por theksoi se kuqezinjtë do të futen në fushë për të marrë rezultate pozitive.
Maksuti nënvizoi se objektivi i tij është të shënojë sa më shumë gola, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë.
“E dimë që janë dy miqësore shumë të forta. Luajmë me nënkampionët e Europës dhe me një ekip të fortë si Zvicra. Janë ndeshje shumë të vështira në letër dhe si kundërshtarë, por ne do futemi të japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive. Objektivi im është që të bëj gola sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin që të ecim”, tha Maksuti.
Sa i përket atmosferës që pret në këto takime ai analizoi: “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Jemi një grup njihemi, pasi kemi bërë disa ndeshje së bashku. Janë shtuar disa lojtarë që janë shumë të mirë. Do futemi në fushë për rezultate pozitive”.
Në fund të fjalës së tij ai përfitoi për të ftuar tifozët në stadium: “I bëj thirrje tifozëve të jenë sa më të shumtë në numër, të na mbështesin dhe ne do japim maksimumin për çdo tifoz që do vijë në stadium”.