Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Vladimir Putin e sheh pa përfitime përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Kjo deklaratë e Merzit vjen në vazhdën e përpjekjeve diplomatike nga presidenti amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar negociatat për paqen.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe Trump mbajtën një takim në Alaska në gusht, pas së cilës Putin deklaroi se ata arritën pikëtakime në lidhje me lëvizjet drejt paqes, megjithëse negociatat konkrete të paqes me Presidentin Zelensky të Ukrainës nuk janë konfirmuar.
Trump është zhvendosur nga kërkimi i një armëpushimi për të mbrojtur një marrëveshje të përhershme paqeje, përfshirë garancinë e sigurisë për Ukrainën ndërsa përjashtoi në mënyrë të qartë Kievin që t’i bashkohet NATO-s dhe për të dërguar trupa amerikane atje.
Kremlini ka refuzuar bisedimet që përfshijnë udhëheqjen e Ukrainës në negociata, përveç rastit nëse SHBA zvogëlon presionin ndaj Rusisë, përfshirë heqjen e sanksioneve dhe ndalimin e ndihmës për Ukrainën.
Kancelari gjerman argumenton nga ana e tij se presidenti rus do të negociojë vetëm kur t’i leverdisin interesave të tij personale.
“Ai do të jetë gati për negociata kur ai të përfitojë personalisht” shpjegoi Merz.
Sipas Merzit, Putini vazhdon luftën dhe “pushton territoret ” teksa shikon nga afër se si udhëheqësit botërorë i përgjigjen veprimeve të tij, përfshirë diskutimet në Evropë dhe Amerikë.
Për të ndryshuar pozicionin e Rusisë, Merz propozoi krijimin e kushteve që do ta detyronin Moskën të kërkonte një dalje nga lufta përmes presionit ekonomik në vend të mjeteve ushtarake.
“Ne duhet të krijojmë arsyet për këtë”, tha ai duke propozuar tarifa kundër vendeve që vazhdojnë tregtinë në mënyrë aktive me Rusinë.
Gjithashtu, Merz theksoi se Gjermania nuk ka asnjë plan për të dërguar ushtarë në Ukrainë, duke shprehur dyshime serioze për pjesëmarrjen e Bundeswehr edhe pas një armëpushimi të mundshëm.
“Deri në armëpushim, dërgimi i trupave në Ukrainë përfundimisht nuk do të ndodhë. Dhe edhe pas kësaj, unë kam dyshime të konsiderueshme për pjesëmarrjen e Gjermanisë ”, u shpreh Merz, transmeton RTSH.
Ndërkohë, Britania dhe Franca udhëheqin iniciativën “Koalicioni i Vullnetit ”, i cili planifikon forcat paqeruajtëse për Ukrainën pas konfliktit me seli operative në Paris dhe qendra koordinimi në Kiev.