Në kampin kuqezi ka nisur numërimi mbrapsht për rikthimin e Rafael Leaos.
Sulmuesi portugez po ndjek pa pengesa programin e rikuperimit pas dëmtimit në pulpën e djathtë, të pësuar në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Barit. Gjendja e tij po përmirësohet dita-ditës dhe sinjalet janë shumë pozitive.
Leao vazhdon punën individuale, por sipas planit mjekësor pritet të kthehet në stërvitje me grupin në fillim të javës së ardhshme.
Kjo do t’i jepte mundësinë të jetë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri për përballjen e rëndësishme ndaj Bologna-s, të dielën, më 14 shtator, sfidë e vlefshme për javën e tretë të Serie A. Ai ka munguar tashmë në duelet kundër Cremoneses dhe Lecce-s, por rikthimi i tij konsiderohet thelbësor për ekipin.
Tifozët e Milanit e presin me padurim rikthimin e Leaos, jo vetëm për rëndësinë e tij si lider ofensiv, por edhe për kuriozitetin që lidhet me rolin e tij taktik. Allegri po mendon disa alternativa: ta aktivizojë përkrah Nkunku në skemën 3-5-2, duke sakrifikuar një qendërsulmues si Gimenez, ose ta përdorë si pikë referimi në 3-4-2-1, duke spostuar Pulisic dhe francezin në prapaskenë.
Rikthimi i Leaos shihet si një kartë vendimtare për ambiciet e Milanit në këtë sezon, duke i dhënë skuadrës një tjetër dimension në fazën sulmuese.