Hakmarrja

- Bota Sot

Hakmarrja

Athletic Bilbao ndodhet në qendër të një çështjeje të bujshme pas dështimit të transferimit të Aymeric Laporte-s nga Al Nassr. FIFA ka refuzuar kërkesën për regjistrimin e mbrojtësit francez, duke theksuar se mungesa e vullnetit nga klubi saudit për të dërguar dokumentacionin në kohë ka bllokuar të gjithë procesin.

Sipas MARCA-s, sistemi i transferimeve nuk u aktivizua për shkak se Al Nassr nuk e nisi dokumentacionin brenda afateve, gjë që e bëri të pamundur regjistrimin e lojtarit. Shkaqet e vërteta mbeten të paqarta, por besohet se lidhen me pakënaqësinë e klubit ndaj qëndrimit të Laporte-s në Arabinë Saudite dhe dëshirës së tij për t’u larguar.

Situata është veçanërisht e ndërlikuar sepse FIFA nuk mund të hapë një dritare të veçantë transferimesh. Kjo do të thotë se Laporte nuk mund të konsiderohet lojtar i lirë dhe e vetmja mundësi për të është një treg i huaj ende i hapur. Ndërkohë, avokatët e Athletic Bilbao-s dhe të futbollistit po përpiqen të provojnë se marrëveshja ishte e plotë dhe se ka pasur neglizhencë nga pala saudite.

La Liga kishte shpallur në mënyrë provizore marrëveshjen me Laporte, pasi Athletic kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, por problemi i “dokumenteve të vonuara” e pengoi transferimin. Drejtuesit e FIFA-s e konsiderojnë këtë një mungesë vullneti nga Al Nassr, por duhet prova konkrete për të marrë një vendim përfundimtar.

Laporte është i zhgënjyer nga situata, por vazhdon të kërkojë zgjidhje. Objektivi i tij është të rikthehet në fushë me Athletic Bilbao-n sa më shpejt dhe të jetë pjesë e planeve për Kupën e Botës 2026.

Një rast që ka rikthyer në kujtesë episodin e famshëm të De Gea-s te Manchester United, duke hapur diskutime mbi transparencën e procedurave në merkato.



Lexoni të gjitha në Bota Sot