Për herë të parë një kompani ukrainase do të hapë fabrikë armësh në tokën e NATO-s

- Bota Sot

Për herë të parë një kompani ukrainase do të hapë fabrikë armësh në tokën e NATO-s

Një prodhues armësh ukrainas do të fillojë operacionet në Danimarkë, një moment ky i ri i bashkëpunimit midis Kievit dhe aleatëve të tij.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se kompania ukrainase Fire Point do të hapë një fabrikë në Vojens, një qytet në jug të vendit që tashmë strehon një bazë ajrore daneze, duke përfshirë një flotë avionësh luftarakë F-16.

Iniciativa, të cilën Poulsen e quajti "ndihmë për Ukrainën në luftën për siguri", është shembulli i parë i një kompanie ukrainase armësh që zhvendos operacionet e saj në një vend anëtar të NATO-s, raporton KosovaPress.

Poulsen njoftoi këtë veprim sot në një takim të liderëve nordikë dhe baltikë, ku mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kujtojmë, Fire Point prodhon dronë luftarakë dhe raketa lundrimi, duke përfshirë raketën Flamingo FP-5, e cila mund të mbajë një kokë luftarake prej 1.150 kilogramësh. Fabrika e saj daneze do të prodhojë kryesisht karburant për raketa dhe pritet të hapet deri në dhjetor.



Lexoni të gjitha në Bota Sot