Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë janë lënduar pasi elevatori ikonik Gloria, doli nga binarët dhe u rrëzua sonte në Lisbonë, njoftuan shërbimet e emergjencës.
Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë, tha Instituti Kombëtar për Emergjenca Mjekësore në një deklaratë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan elevatorin e ngjashëm me tramvajin, i cili është i njohur për turistët, praktikisht të shkatërruar dhe punonjësit e emergjencës duke nxjerrë njerëz nga rrënojat në Lisbonë.
Autoritetet nuk identifikuan viktimat ose nuk zbuluan kombësitë e tyre, por thanë se disa shtetas të huaj ishin midis të vdekurve, raporton Sky News, përcjell kp.
Nuk është menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi aksidentin, i cili ndodhi rreth orës 6 pasdite - fillimi i orës së pikut të mbrëmjes.
Carlos Moedas, kryebashkiaku i Lisbonës, tha për Diario de Noticia se një tragjedi e tillë nuk ka ndodhur kurrë në qytet.
“Momenti është për veprim dhe ndihmë. Ju falënderoj të gjithëve për përgjigjen brenda pak minutash. E vetmja gjë që mund të them është se është një ditë shumë tragjike," shtoi ai.
Kjo vjen ndërsa presidenti Marcelo Rebelo de Sousa u ka shprehur ngushëllimet e tij familjeve të prekura nga tragjedia.
Gloria, e cila mund të mbajë më shumë se 40 persona, është një nga tre elevatorët në kryeqytetin portugez. Ajo lidh qendrën e Lisbonës me lagjen Bairro Alto dhe përdoret zakonisht si nga banorët ashtu edhe nga turistët. Dy vagonë ecin paralel me njëri-tjetrin ndërsa ngjiten e zbresin kodrën për disa qindra metra.