Zelensky takohet me udhëheqësit evropianë në Paris

- Bota Sot

Zelensky takohet me udhëheqësit evropianë në Paris

Udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, takohen më 4 shtator në Paris, në një përpjekje të re për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ai u zotua se vendi i tij do të luftojë në Ukrainë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje.

Në Perëndim është rritur zemërimi për atë që udhëheqësin thonë se është mosvullnet i presidentit rus për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që Moska nisi kundër Ukrainës tre vjet e gjysmë më parë.

Samiti, që do të udhëhiqet nga liderët e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, synon që të forcojë planet për garancitë e sigurisë për Ukrainën nëse ose kur të arrihet një armëpushim, por edhe që udhëheqësit të kenë një pamje më të qartë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, Rusia i ka hedhur poshtë këto garanci dhe vetë Putini ka thënë se Moska është e gatshme “t’i zgjidhë të gjitha detyrat tona ushtarakisht” në mungesë të një marrëveshjeje.

“Ne jemi gati, ne evropianët, që të ofrojmë garanci të sigurisë për Ukrainën dhe ukrainasit në ditën kur të nënshkruhet marrëveshja e paqes”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën mbrëma duke folur përkrah Zelenskyt.

Macron tha se detajet e garancive janë “konfidenciale”, por “përgatitjet kanë përfunduar” gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të mbajtur më herët.

Udhëheqësit evropianë kanë qenë të rezervuar lidhur me natyrën e garancive, të cilat pritet të përfshijnë vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë, trajnime dhe mbështetje nga SHBA-ja.

Zelensky, nga ana e tij, tha se ishte i bindur që aleatët e Kievit do të ndihmojnë “të rritet presioni mbi Rusinë për të shkuar drejt një zgjidhjeje diplomatike”.

Por, ai shtoi po ashtu se “fatkeqësisht, ende nuk kemi parë asnjë shenjë nga Rusia se ajo dëshiron ta përfundojë luftën”.

Disa orë para se të nisnin bisedimet, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se garancitë për Ukrainën ishin “absolutisht të papranueshme”.

“Nuk ka garanci për sigurinë e Ukrainës, ato janë garanci për rrezikun ndaj kontinentit evropian”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova gjatë margjinave të një forumi ekonomik të mbajtur në Lindjen e Largët të Rusisë.

Ajo shtoi se Rusia nuk do të pranojë të diskutojë për dislokimin e trupave të huaja në Ukrainë “në asnjë format”./REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot