Nazim Hajdini – Nga fronti i luftës te misioni qytetar për të ardhmen

- Bota Sot

Nazim Hajdini – Nga fronti i luftës te misioni qytetar për të ardhmen

Nazim Hajdini është një nga emrat e dalluar të Luginës së Preshevës, një figurë që ka kaluar nëpër rrugëtimin e vështirë të kohës: nga pushka e lirisë, në misionin e përfaqësimit qytetar dhe politik. Me origjinë nga fshati Breznicë i komunës së Bujanocit, Hajdini sot është rreshtuar në listën e kandidatëve të mundshëm të Lëvizjes Qytetare “Vatra” në Gjilan, duke dëshmuar se përkushtimi i tij ndaj çështjeve kombëtare dhe qytetare nuk ka njohur kurrë ndalesë.

Në vitet e vështira të Luginës, Hajdini ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Brigadën 114 të Zonës Operative të Çarrit, nën komandën e Muhamet Xhemajlit – Komandant Robeli. Pas përfundimit të luftës, ai gëzon statusin e Veteranit të Luftës pranë OVL-së në Luginë, duke mbajtur gjithmonë të gjallë idealin e atyre ditëve.

Simbolika e Urës së Bashkimit

Pas luftës, Nazim Hajdini nuk u ndal. Ai u bë kryetar i Bashkësisë Lokale të Breznicës, ku me përkushtim të madh ndërtoi Urën e Bashkimit – një vepër simbolike e cila lidh Breznicën me Rogoçicën, dhe që për shumë banorë përfaqëson jo vetëm infrastrukturë, por edhe shpresë, bashkim dhe perspektivë.

Një periudhë të jetës së tij ia kushtoi edhe fjalës së lirë, duke punuar në Radio Televizionin e Bujanocit, aty ku zëri i tij u bë jehonë e realitetit të vështirë të shqiptarëve të Luginës.

Shtegtimi i lirisë - mesazh për Evropën

Nazim Hajdini njihet edhe për një akt të guximshëm dhe të pazakontë: shtegtimin e tij në këmbë nga Gjilani deri në Bruksel, bashkë me tre shtegtarë të tjerë. Ata përshkuan mbi 3 mijë kilometra, për të përcjellë në zemër të Evropës mesazhin e domosdosë së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë rrugëtim të gjatë, Hajdini dhe grupi i tij u përballën edhe me maltretime nga serbët lokalë në Graçanicë, vetëm pse mbanin flamurin kombëtar. Por, kjo nuk i ndali: përkundrazi, e forcoi bindjen e tyre se kauza e drejtësisë dhe lirisë kërkon sakrifica.

Nga idealet te përfaqësimi qytetar

Sot, Nazim Hajdini synon që idealet e tij t’i shndërrojë në veprim konkret në jetën politike dhe institucionale. Duke kandiduar për Asamblenë Komunale të Gjilanit me nr.13, ai ka një porosi të qartë: t’i shërbejë qytetarëve dhe të jetë zëri i tyre në vendimmarrje.

Në mesazhin e tij elektoral, Hajdini thekson rëndësinë e zgjedhjes së drejtë:
“Çdo vendim që marrim sot do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve tanë, në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe në cilësinë e shërbimeve që marrim. Qëllimi im është i qartë: të ndërtoj një komunë më të fortë, më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë.”

Ai ka premtuar gjithashtu se pagën e këshilltarit komunal, nëse fiton në zgjedhje, do ta dhurojë për dy studentë në nevojë – një gjest që e pasqyron përkushtimin e tij për brezin e ri dhe për të ardhmen.

Nazim Hajdini mbetet një shembull i rrallë i një veprimtari të përkushtuar, që nga fronti i luftës e deri te shërbimi qytetar, ka ditur të ndërthurë idealin me veprën dhe fjalën me aksionin. Ai e sheh politikën jo si privilegj, por si përgjegjësi, jo si përfitim personal, por si mision shërbimi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot