Ajet Shosholli shënon datën 5 si datë historike: Askush mbi kombëtaren

- Bota Sot

Ajet Shosholli shënon datën 5 si datë historike: Askush mbi kombëtaren

Me padurim pritet përballja e nesërme (20.45) mes kombëtares së Zvicrës dhe Kosovës, në kuadër të ndeshjes së parë të Grupit B të kualifikueseve për Kampionatin Botëror në futboll. 

Dardanët synojnë befasinë ndaj Zvicrës së kapiteni Granit Xhaka.

Selektori i pari i kombëtares së Kosovës në periudhën 1991-1996, Ajet Shosholli, trajneri i trajnerëve, ka lidhur dy data interesante, e para në vitin 1992 kur Kosova zhvilloi ndeshjen e parë (miqësore) ndaj Shkëndijes së Tetovës, ku kishte shënuar fitore me rezultat 4:0 dhe nesër që do ndeshen me Zvicrën. 

“Shpresojmë që me datën 5 shtator të fillojmë me këmbë të mbarë. Me datën 5 shtator apo ditën e nesërme, kombëtarja e jonë do të fillojë rrugëtimin e garës për kualifikimet e Kampionatit Botëror të vitit 2026.

Është koincidencë që pikërisht me datën 5 (prill) të vitit 1992, pas formimit të kombëtares tonë, zhvilluam edhe ndeshjen e parë me ekipin e Shkëndijës se Tetovës në Tetovë, për të vazhduar me pas edhe me ndeshjet e tjera në Shqipëri dhe ndeshjet e tjera të radhës.

Pra data 5 ishte një datë historike, kur me gjeneratën e asaj kohe, në të cilën gjeneratë kishte edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit të Kosovës, reprezentuan apo përfaqësuam për herë të parë shtetësinë e Kosovës, ku rezultati ishte në plan të dytë, por megjithatë rrugëtimin e parë të kombëtares e filluam me këmbë të mbare dhe ndeshjen e fituam me rezultat bindës.

Edhe pse ishte kohë e vështirë, megjithatë ishte nder, privilegje dhe përgjegjësi që me kombëtaren tonë, të  reprezentojmë dhe përfaqësojmë futbollin e Kosovës dhe shtetësinë e Kosovës. 

Kulminacioni i një sportisti gjatë karrierës së tij sportive, është të jetë pjesë e kombëtares të vet dhe me dinjitet të prezantojë dhe përfaqësojë shtetin e vet.

Shpresojmë që dita e nesërme apo data 5, do të jetë një ditë me fat dhe fillim të mbarë, ku djelmoshat tanë do të japin çdo gjë prej veti që në mënyrë të denjë ta përfaqësojnë dhe reprezentojnë kombëtaren dhe shtetin e Kosovës.  

Është e njohur kauza e cila simbolizon shtetësinë e një shteti, ku thuhet se: "Shteti mbi të gjithë"  apo  "Askush  mbi shtetin". 
Nëse këtë kauzë e zbërthejmë në rrafshin sportiv atëherë del që të themi se: "Kombëtarja mbi të gjithë"  apo "Askush mbi kombëtaren".

Duhet të besojmë dhe nuk dyshojmë, se djelmoshat tanë do ti përmbahen dhe do të veprojnë konform kësaj kauze e cila është më së e saktë e drejtë dhe kuptimplote.

Në kohën e largët të vitit 1962, presidenti i respektuar i SHBA-së Xhon KENEDI, në një vizitë që e kishte në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe, mbajti një fjalim në Berlin, ku ndër të tjera tha: "Asnjëherë mos pyet se çka jep shteti për ty, por çka jep ti për shtetin".

Kemi besim të plotë se djemtë tanë do të japin cdo gjë prej veti dhe do të kontribojnë në paraqitjen sa më të mirë të kombëtares dhe shtetit të vet.

Një ndër futbollistët më të mirë botëror Lionel Messi, para Kampionatit Botëror të vitit 2022 që u mbajt në Katar, e kishte këtë deklaratë: "I kam fituar të gjitha trofetë individuale dhe ekipore, por me mungon një trofe që është me i cmuari dhe më i vlefshmi për mua, ai trofe është që të bëhem kampion i botës me Argjentinën time".

Dhe për fat dëshira ju realizua, pasi që Argjentina së bashku me kapitenin Messi e fitoi titullin e kampionit botëror të vitit 2022. 

Të jemi modest dhe real, trofeu më i madh për neve kishte me qenë kualifikimi eventual në këtë botëror, por duhet ta pranojmë se jemi në një grup shumë të fortë, me  kombëtaret si Zvicra dhe Suedia të cilat pothuajse janë pjesëmarrëse në cdo Kampionat Evropian dhe Botëror, por edhe një Slloveni e cila kohët e fundit ka përparuar shumë dhe po ashtu ishte pjesëmarrëse në Evropianin e vitit 2024.

Por pas suksesit tonë në grupin C dhe  avancimit ne grupin B, është radha që të sprovohemi edhe me kombëtare shumë të forta, sikurse këto që i kemi në grup, me shpresë për kualifikim, apo së paku të jemi konkurrent i denjë deri në fund të këtyre kualifikimeve.

Shpresojmë të kemi fillim të mbarë, në kualifikimet për këtë garë”, ka shkruar Shosholli në profilin e tij në facebook.



Lexoni të gjitha në Bota Sot