Shitjet me pakicë në zonën e euros ranë 0.5% në korrik nga një muaj më parë, më shumë se pritjet e tregut, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot nga Eurostat, raporton KosovaPress.
Në BE, shitjet ranë gjithashtu 0.4% në të njëjtin muaj. Pritja e tregut për zonën e euros ishte një rënie mujore prej 0.3% në korrik.
Rënia më e lartë e vëllimeve të shitjeve në zonën e euros u pa në shitjet e karburantit për automjete në dyqane të specializuara, me 1.7% më pak në bazë mujore.
Vëllimet e shitjeve në korrik ranë gjithashtu 1.1% për ushqimin, pijet dhe duhanin.
Nga ana tjetër, vëllimet e shitjeve për produktet jo-ushqimore (përveç karburantit për automjete) u rritën 0.2% në korrik.
Midis anëtarëve të BE-së për të cilët ka të dhëna të disponueshme, rëniet më të mëdha mujore u panë në Kroaci (-4%), Estoni (-2%) dhe Gjermani (-1.5%).
Në anën tjetër, rritjet më të mëdha ishin në Lituani (rritje prej 1.5%), Letoni (1.4%) dhe Holandë (1.1%) në korrik.
Në bazë vjetore, shitjet me pakicë u rritën 2.2% në eurozonë dhe 2.4% në BE në korrik, nën parashikimet e tregut.