Djed Spence shpreson të frymëzojë gjeneratat e ardhshme nëse bëhet lojtari i parë mysliman që përfaqëson ekipin e parë të Anglisë në futbollin e meshkujve.
Mbrojtësi i djathtë i Tottenham-it, që ka gjashtë ndeshje me Anglinë U-21, është përfshirë për herë të parë në skuadrën e parë për kualifikueset e Botërorit kundër Andorrës dhe Serbisë.
Ky është një kthesë e madhe për ish-lojtarin e Middlesbrough, i cili u huazua tre herë nga Spurs – te Rennes, Leeds dhe Genoa – përpara se të konsolidohej si titullar sezonin e kaluar.
Edhe pse Federata Angleze e Futbollit nuk mban regjistrim mbi fenë e lojtarëve, besohet se Spence mund të bëhet burri i parë mysliman që luan për Anglinë.
“Është një bekim – thjesht e pabesueshme. Nuk kam fjalë,” tha 25-vjeçari.
“Unë lutem shumë, i falënderohem Zotit. Në momentet më të vështira të jetës sime, në errësirën më të madhe, gjithmonë kam besuar se Zoti ka qenë pranë meje. Besimi im është një gjë e madhe për mua.”
Anglia do të përballet me Andorrën në Villa Park të shtunën, përpara se të udhëtojë për ndeshjen kundër Serbisë në Beograd të martën.
Spence thotë se nuk ndien peshë shtesë mbi shpatullat e tij për shkak të fesë, por shpreson që historia e tij të frymëzojë të tjerët.
“Unë nuk ndiej presion për gjëra të caktuara. Thjesht luaj futboll me buzëqeshje, jem i lumtur dhe pjesa tjetër vjen vetë,” shtoi ai.
“Nëse unë mund ta bëj, edhe ju mund ta bëni. Jo vetëm fëmijët myslimanë, por çdo fëmijë, pavarësisht besimit. Vendos mendjen tek diçka dhe mund ta arrish.”, tha ai.