Dy klubet e kryeqytetit në pritje të “Selman Stërmasit”

- Bota Sot

Dy klubet e kryeqytetit në pritje të “Selman Stërmasit”

Tirana po bën përpjekjet e fundit që stadiumi “Selman Stërmasi” të jetë gati për ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit.

Punimet për rikonstruksionin e impiantit kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe synimi i klubit bardheblu është që ekipi të kthehet sa më shpejt në shtëpinë e vet, pas një periudhe ku ka qenë i detyruar të luajë në fusha të tjera. 

Dy ditë më parë, punimet u inspektuan nga presidenti Refik Halili, i cili ka dashur të shohë nga afër ecurinë e projektit dhe ritmin e përfundimit të tij.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se presidenti ka kërkuar që gjithçka të përfundojë brenda afateve të vendosura, në mënyrë që skuadra të mos ketë më pengesa logjistike. Por rikthimi në “Selman Stërmasi” nuk është lajm i mirë vetëm për Tiranën.

Në këtë stadium pritet të luajë edhe Dinamo, që gjithashtu ka qenë e detyruar të zhvendoset në fusha alternative për shkak të mungesës së një impianti të gatshëm në kryeqytet.

Kjo do ta shndërrojë “Selman Stërmasin” në një qendër futbolli për dy nga klubet më të vjetër e më të titulluar të vendit.

Përveç përmirësimeve në fushën e lojës dhe rrethimin, po punohet edhe për kushte më të mira për tifozët, me synimin që stadiumi të ofrojë një ambient më modern dhe komod për të gjithë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot