Anulohet seanca për vrasjen e policit në Zllatar

- Bota Sot

Anulohet seanca për vrasjen e policit në Zllatar

Edhe seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Fatlum Mehmeti akuzohet për vrasjen e policit në Zllatar, është anuluar.

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anulimi i seancës është konfirmuar nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Ertan Sejfulla.

Ndërsa, lidhur me arsyet e anulimit të seancës, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një përgjigje nga Gjykata, por deri në publikimin e lajmit nuk kemi pranuar përgjigje.

Seanca e 9 korrikut ishte anuluar në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Fatlum Mehmeti, avokatit Labinot Buzuku.

Ndryshe, i akuzuari  Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale”  kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës. Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.



Lexoni të gjitha në Bota Sot