Edonisa Aliu shtyn fort Gramshin

- Bota Sot

Edonisa Aliu shtyn fort Gramshin

Vetëm pak ditë më parë Edonisa Aliu rinovoi edhe për katër vite kontratën e saj si drejtoreshë sportive e skuadrës së vajzave të Gramshit. Drejtuesja nga Kosova është e karikuar për punën e saj në Gramsh, ndërsa në mendje ka një objektiv fiks, i cili është titulli i parë kampion, që do të ishte një arritje historike për skuadrën.

Në prag të sezonit të ri, Aliu duket më e karikuar se kurrë për vijimin e punës me ekipin e vajzave: “Rinovimi i kontratës time është një dëshmi e fortë se jemi një ekip afatgjatë, me objektiva të mëdha dhe projekte ambicioze që rriten nga viti në vit. Ndihem e lumtur dhe krenare që jam pjesë e këtij ekipi, i cili më bën të ndjehem si në shtëpinë time, në një qytet të vogël, por me zemër të madhe dhe mbështetje të jashtëzakonshme.

Dua të falënderoj kryetarin e bashkisë, Besian Ajazin, për mbështetjen dhe besimin e tij vazhdueshëm.

Përkushtimi i tij ka qenë një faktor kyç në zhvillimin dhe avancimin e ekipit tonë çdo vit. Nënshkrimi i kësaj kontrate 4- vjeçare është një dëshmi e qartë e vizionit dhe vendosmërisë për të ndërtuar së bashku të ardhmen”, shprehet fillimisht Edonisa Aliu për “Panorama Sport”, e cila më pas shton:

“Jemi një ekip që çdo ditë mundohemi të japim më të mirën tonë, me përkushtim dhe punë të vazhdueshme. Këtë sezon kemi realizuar një merkato të jashtëzakonshme, duke afruar lojtare me cilësi të lartë dhe eksperiencë të vlefshme, të cilat do të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën. Ekipi është rinovuar rreth 70%, duke filluar nga stafi teknik e deri te porta. Ky ndryshim i madh është dëshmi e qartë e seriozitetit dhe e vizionit që kemi për të ardhmen”.

Teksa deklaron se Gramshi futet për objektiva të mëdha, Aliu thekson së në skuadër nuk që drejton nuk ka vend për mercenare, por vetëm për vajza që e ndjejnë fanellën: “Ne nuk kemi bërë ndryshime vetëm për numra, por për të ngritur cilësinë dhe për t’i dhënë skuadrës identitet të fortë dhe objektiva të qartë. Sot, kush e njeh futbollin e kupton qartë se çfarë synimesh kemi dhe çfarë cilësie ekziston në këtë ekip. Objektivi ynë është i madh, por i arritshëm, sepse besojmë në punën tonë, në lojtaret tona dhe mbi të gjitha në mbështetjen e jashtëzakonshme që na jep ky qytet.

Në ekipin tonë do të kemi lojtare që ndjejnë fanellën, jo lojtare mercenare. Rivalet janë të nevojshme, sepse pa to kampionati nuk do të ishte as i bukur dhe as i fortë. Ato na sfidojnë, na motivojnë dhe bëjnë që çdo ndeshje të ketë emocion dhe vlerë. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë ekipeve të investojnë seriozisht dhe të punojnë për të rritur konkurrencën dhe cilësinë e kampionatit. Sa më e fortë të jetë konkurrenca, aq më i bukur dhe më profesional bëhet futbolli për tifozët dhe për lojtarët”, përfundon drejtoresha e ekipit të Gramshit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot