Shqipëria teston forcat ndaj Gjibraltarit

- Bota Sot

Shqipëria teston forcat ndaj Gjibraltarit

Kombëtarja shqiptare zbret sot në fushë përballë Gjibraltarit në transfertë, në një përballje historike mes dy ekipeve që për herë të parë matin forcat mes tyre. Për kuqezinjtë, kjo sfidë shërben më shumë si provë gjenerale, përpara duelit shumë më të rëndësishëm të së martës ndaj Letonisë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit.

Trajneri Silvinjo e kishte paralajmëruar se ndeshja do të përdorej për të dhënë minuta lojtarëve që kanë pasur më pak hapësira, si dhe për të testuar skema të ndryshme loje. Dhe kështu ndodhi: eksperimenti është fjala kyçe e mbrëmjes.

Në portë është vendosur Gentian Dajsinani, një nga përfaqësuesit e Superiores, ndërsa në mbrojtje, një tjetër surprizë nga kampionati vendas: Aliji në krahun e majtë. Krahas tyre, prapavija kompletohet me Kumbullën në qendër dhe kapitenin Hysaj në krahun e djathtë.

Risia më e madhe vjen nga mesfusha, ku Silvinjo i ka dhënë hapësirë Maldini Kaçurrit, i thirrur në fund si zëvendësim pas mungesës së Bajramit. Përkrah tij do të luajnë Berisha dhe Pajaziti, duke krijuar një treshe të re në mesin e fushës.

Në sulm, trajneri ka zgjedhur të ndryshojë hierarkitë: Daku është vendosur në qendër, ndërsa Asani operon në krahun e djathtë dhe Armando Broja, zakonisht në majë të sulmit, është zhvendosur në krahun e majtë. Ky pozicionim synon të sjellë më shumë fleksibilitet dhe befasira për kundërshtarin.

Megjithëse rezultati i ndeshjes nuk është prioritet absolut, për Shqipërinë ky test është me shumë rëndësi. Ai shërben si laborator për të përgatitur me kujdes duelet vendimtare, ku synimi i vetëm mbetet kualifikimi në Botëror.



Lexoni të gjitha në Bota Sot