Ernest Muçi është tashmë në një udhëkryq të mirëfilltë për karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare raportohet se është nxjerrë jashtë planeve nga trajneri Sergen Jalçin dhe po kërkohet transferimi i tij në një klub tjetër.
Në mediat turke është raportuar për interesimin e Rubin Kazan për ta huazuar, por edhe të Kocaelispor për të blerë kartonin e tij. Në të dy rastet, nuk ka një akord ende për aspektin financiar mes klubeve në fjalë dhe Beshiktashit.
Por sikur të mos mjaftonte çështja e mungesës së akordit deri tani, duket se vetë Muçi është ai i cili ka marrë një vendim për situatën e krijuar. Mediat turke raportojnë se sulmuesi shqiptar ka vendosur të mos largohet nga Beshiktashi dhe të tentojë shanset e tij në radhët e kësaj skuadre, duke synuar që të rifitojë vendin në formacion.
Një vendim që mund të kufizojë minutazhin e Muçit në javët në vijim, por edhe një sinjal i bindjes që ka ai se mund të ndryshojë fatin e tij në radhët e klubit të njohur turk.