Trent Alexander-Arnold nuk është i shqetësuar nga kritikat, që kanë vërshuar drejt tij që prej transferimit nga Liverpuli në Madrid. Mbrojtësi i kombëtares së Anglisë mori një vendim të guximshëm duke mos rinovuar kontratën me “Reds”, klubin e tij të zemrës, për të nisur një kapitull të ri me Realin.
Edhe pse pritej të transferohej si lojtar i lirë, me kontratën që i skadonte në qershor, kampionët anglezë ia dolën të sigurojnë një shumë transferimi prej rreth 10 milionë euro.
Mirëpo paraqitjet jo të mira me të cilat ka nisur aventurën spanjolle, bënë që Tuhel të mos e grumbullojë për impenjimet e Anglisë në këtë muaj. Sidoqoftë, Trent mbetet i qetë, si dhe i bindur se largimi nga Liverpul ishte vendimi i duhur.
“Padyshim që ishte një nga vendimet më të vështira të jetës sime. Liverpul është shtëpia ime; aty u formova si futbollist dhe si njeri. Por Madridi më dukej hap i duhur, në kohën e duhur”, rrëfeu në intervistën për “GQ Spain”.
I pyetur se çfarë e shtyu të merrte një vendim për tw ikur nga “Anfield”, ai u përgjigj se “ishte ambicie dhe dëshirë personale për ndryshim, për të sfiduar veten në një ambient të ri. Padyshim është një sfidë, që e mirëpres. Të luash në ‘Bernabeu’ është e shenjtë dhe e ndien peshën e fanelës, por kjo është ajo që të shtyn të japësh gjithçka”, përfundoi anësori anglez.