Sulm në parkingun e kopshtit në Vushtrri dhe arsenal armësh në shtëpi, një muaj paraburgim për dy persona

- Bota Sot

Sulm në parkingun e kopshtit në Vushtrri dhe arsenal armësh në shtëpi, një muaj paraburgim për dy persona

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, ndaj të dyshuarve K.M. dhe K.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", si dhe "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm", ndërsa njëri prej tyre, K.M., dyshohet gjithashtu për veprën penale "Lëndimi i rëndë trupor".

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 maj 2025, rreth orës 08:55, në parkingun e një kopshti fëmijësh në Vushtrri, ku i dyshuari K.M., së bashku me persona të tjerë, e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin L.O., në momentin që ai po zbriste nga automjeti për të shoqëruar vajzën në kopsht.

Sipa sprokurorisë, sulmi është kryer me një shufër metalike, duke i shkaktuar viktimës lëndime të rënda në kokë, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me motoçikleta.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarve në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, janë sekuestruar elektroshokë, sprej, telefona mobil, si dhe një sasi e konsiderueshme armësh dhe municioni, përfshirë armë të gjata dhe të shkurtra, snajperë, pistoleta me silenciatorë. Në telefonat e të dyshuarve janë gjetur video dhe fotografi ku ata shihen duke përdorur armë, përfshirë edhe një imazh ku njëri prej tyre shihet duke shënjestruar një automjet të policisë me revole.

Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve K.M. dhe K.M.



Lexoni të gjitha në Bota Sot