Barcelona dhe mesfushori Oriol Romeu kanë vendosur të ndajnë rrugët, duke arritur një marrëveshje për zgjidhjen e kontratës. Në njoftimin zyrtar, klubi katalanas falënderoi lojtarin për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Romeu, i formuar në akademinë La Masia, iu bashkua Barcelonës që në vitin 2004 dhe kaloi të gjitha nivelet e moshave deri te debutimi me ekipin e parë nën drejtimin e Pep Guardiolës në sezonin 2010/11. Pas një karriere të gjatë në Spanjë dhe jashtë saj, ai u rikthye në “Camp Nou” në verën e vitit 2023 nga Girona, pas një sezoni të shkëlqyer që e riktheu në fokusin e klubit ‘blaugrana’.
Fillimi i aventurës së dytë me Barcelonën ishte premtues: Romeu u aktivizua si titullar në ndeshjet e para të sezonit 2023/24, duke u dalluar si lojtar i rëndësishëm në mesfushën e Xavit. Megjithatë, me kalimin e javëve, minutat e tij u reduktuan ndjeshëm, si pasojë e konkurrencës dhe një dëmtimi në gju që e pengoi të ruante vazhdimësinë.
Gjatë kohës së tij te Barça, Romeu zhvilloi 37 ndeshje, prej të cilave 17 si titullar, duke grumbulluar gjithsej 1.435 minuta në fushë. Në sezonin e kaluar ai u rikthye te Girona në formë huazimi, ku regjistroi 31 paraqitje, 22 prej të cilave si titullar, duke dëshmuar sërish vlerat dhe eksperiencën e tij në mesfushë.
Largimi përfundimtar i Romeut nga Barcelona mbyll një kapitull të veçantë për një lojtar që u rrit në La Masia, debutoi me fanellën ‘blaugrana’, por nuk arriti ta konsolidonte plotësisht veten në ekipin e parë.