Fundi i ndeshjes së Shpresave mes Shqipërisë U-21 dhe Gjermanisë në “Elbasan Arena” ka shënuar disa momente të vogla tensioni mes dy pankinave.
Gjithçka lindi pas një goditje këndi të akorduar në favor të Gjermanisë në minutat shtesë nga gjyqtari Hamiti, e kontestuar ashpërsisht nga selektori Bushi i cili shpeshherë dilte nga zona e tij teknike.
Kjo nuk i pëlqeu homologut të tij gjerman, Antonio Di Salvo, i cili kërkonte vazhdimin normal të ndeshjes.
Në vërshëllimën përfundimtare të sfidës, pak çaste më vonë, Bushi dhe ish-futbollisti i Bayernit u përplasën mes tyre në momentin ku në teori duhej të shkëmbenin përgëzimet e rastit dhe shtrëngonin duart.
Të dy debatuan dhe ishin pjesëtarët e stafeve të dy skuadrave, me Tefik Osmanin në krye, që i tërhoqën duke shmangur diçka më serioze.